Objekt i punimit tonë është një përmendore shkrimi arumanisht e viteve 20 të shekullit XIX, e cituar si e tillë relativisht herët, por që ka mbetur ende e panjohur përkatësisht e paregjistruar në trashëgiminë e kulturës së shkrimit arumun. Shkruajmë qëllimisht "relativisht herët" duke dashur t'i mëshojmë faktit, se nuk është aspak shkruesi i këtyre radhëve ai që i tërheq vëmendjen i pari lexuesit për praninë e saj në këtë trashëgimi sado modeste, që gëzojmë sot prej traditës së shkrimit arumun në kohë dhe hapësirë. Andaj kemi po aq të drejtë të mëtojmë se kjo përmendore i ka anashkaluar regjistrimit të saj në këtë trashëgimi për arsye që mbeten ende për t'u sqaruar.
Nxitjen për këtë punim e përjetuam gjatë rileximit të një pjese të trashëgimisë postume të eruditit siculo-arbëresh Nikollë Keta (= Niccolò
Chetta 1741-1803) që është rrokur si e tillë në librin Nicolò Chetta. Testi letterari in albanese (Caltanissetta 2004), i përgatitur si botim kritik prej Matteo Mandalà. Ky botim nuk është sigurisht as i pari dhe as i fundit për filologun pianiot, i cili njihet ndërkohë si njohësi më i kompletuar i trashëgimisë siculo-arbëreshe në kulturën e shkrimit shqip; të asaj në dorëshkrim të Nikollë Ketës po se po.
Albanologjia në Gjermani tronditet rishtas këtë vit me një ngjarje të hidhur. Largohet papritur prej nesh Wilfried Fiedler, i mirënjohur në diskursin kulturor intelektual shqiptar dhe ballkanik si njohësi më i thelluar dhe më produktiv në studimet gjuhësore albanologjike dhe ato ballkanike bashkëkohore në hapësirën gjermanishtfolëse, anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Wilfried Fiedler lindi në vitin 1933 në Oberfrohna (Saksoni/RFGJ) dhe u shpërngul qysh në rini në Berlin, ku studioi në Universitetin Humboldt në fushat e sllavistikës e të filologjive të tjera të Europës Juglindore dhe Lindore. Prej vitit 1955 filloi karrierën e tij shkencore si punonjës shkencor në institutin e Kulturës Popullore pranë Akademisë së Shkencave të Gjermane (në Berlinin lindor) dhe katër vite më vonë, pas njohjes së thelluar të shqipes edhe si docent i saj në Universitetin Humboldt. Ky angazhim e shoqëroi 30 vjet me radhë aktivitetin e tij shkencor-universitar dhe intelektual (1957-1989). Bashkimi i Gjermanisë e solli Fiedler-in në Perëndim, në Universitetin elitar Ludwig-Maximilian të Mynihut, si pasardhës i profesurës për albanologji që kishte themeluar profesor Martin Camaj, një pozicion ky që e shoqëroi deri në daljen e tij në pension (1991-1998). Angazhimi universitar, krahas atij shkencor, mbeti gjithsesi deri në fund pjesë e jetës së tij aktive si specialisti i shumëkërkuar i shqipes në universitetet e Jenës dhe të Mynihut.
Në kuadrin e lektoriumeve të institucionalizuara tashmë në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë, në datën 3 tetor 2022 prof. dr. Bardhyl Demiraj, ish punonjës i IGJL-së dhe sot drejtues i Qendrës Albanologjike pranë universitetit Ludwig-Maximilian të Mynihut, mbajti një ligjëratë me temë "Etnonimi SHQIPTAR - shfaqja dhe shndërrimet e tij funksionale deri në shek. XVIII".